Mustafa: Osmani duhet të sqarohet, pse s’qëndroi në Kosovë kur kishte informacione për agresion serb të parandaluar nga Trumpi
Foto: Laura Hasani / Arkiv

Mustafa: Osmani duhet të sqarohet, pse s’qëndroi në Kosovë kur kishte informacione për agresion serb të parandaluar nga Trumpi

Aktuale July 15, 2025 - 14:36

Vjosa Osmani duhet ta bëjë vetëm një "sqarim": pse kur ka [dhe nëse ka] informacione të tilla [për agresion serb në bërje, të parandaluar nga Trumpi] nuk qëndroi dhe nuk qëndron në Kosovë për t’u ballafaquar me situatën?

Vetëm kaq sqarim i detyrohet vendit – në konferencën e njoftuar për media “nga mesi i javës” – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kështu tha Isa Mustafa, ish-kryeministri i Kosovës, në një përgjigje për “Nacionale”, pyetur rreth fjalëve të saj të dhëna në SHBA që u bënë brumë për debat të ashpër në vend; për çka edhe s’vonoi përgënjeshtrimi nga emisari amerikan, Richard Grenell, i cili i atribuoi “manipulim” dhe “turp” fjalëve të saj.

Por, jo veç për “konfirmim” kontraverz të fjalëve të Trumpit, Isa Mustafa rikujton ashpërsinë dhe kundërshtimin e madh të Vjosa Osmanit – në linjë me Vetëvendosjen – ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit, që tash Osmani e lartësoi si marrëveshje të mirë dhe, për më tepër, që “është zbatuar”.

Krejt kjo për Isa Mustafën përbën “mashtrim” nga ana e Vjosa Osmanit, ndërsa tash sheh që ajo bëhet “altoparlant i gabuar”.

“Sa i përket Presidentit Trump, mendoj se nuk i takon znj. Osmani që të interpretojë apo keqinterpretojë fjalët dhe vlerësimet e tij. Çështjet e sigurisë nuk janë të domenit të interpretimit por të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Trumpi është në Kosovë, sepse këtu janë ushtarët e tij, këtu është NATO, e cila nuk është deklaruar në asnjë rast për këtë rrezik, dhe nuk ka ndryshuar shkallën e mobilizimit ushtarak- luftarak”, tha Isa Mustafa.

Por edhe qysh në premisa, Isa Mustafa, e she krejt këtë tregim në dyshim.

“Është e rendit, që kur Presidentja apo Kryeministri ka informacione mbi rreziqet ndaj sigurisë së vendit, ta thërrasin Këshillin e Sigurisë dhe ta njoftojnë edhe opinionin për atë që mund të njoftohet. Po ashtu, kur ka informacione se vendit po i kanoset rreziku nga Serbia, atëherë Presidentja, si komandante supreme, qëndron në shtetin e saj, që më së paku i ngjanë Presidentes Osmani. Ajo në këtë situatë,’të kohëve të fundit’, e cila thotë se është njoftuar nga brifingje të rregullta për rrezikun nga Serbia, më shumë ka qëndruar në vizita jashtë vendit se sa në Kosovë. Kjo tregon se diçka nuk është në rregull, ose me brifingjet ose me seriozitetin e detyrës së saj si komandante supreme, të cilin atribut ka qejf ta përsërisë shpesh”, tha ai.

“Mashtrimi” i Osmanit për Marrëveshjen e Uashingtonit

Për Marrëveshjen e Uashingtonit dhe kundërshtimin e saj – që Osmani e vlerësonte “kundër rendit kushtetues” – Isa Mustafa rikujton se me atë tiketë Osmani dhe Vetëvendosja edhe kanë ardhë në pushtet, dhe “të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë”.

Por, fatkeqësisht – thotë Mustafa – nënshkruesi i asaj marrëveshje, Avdullah Hoti, përveçqë është sulmuar dhe kritikuar në masë të madhe nga Osmani dhe Vetëvendosje, “është margjinalizur edhe nga partia e tij (LDK)”.

“Presidenti Trump në vitin 2020, përmes përfaqësuesit të tij special, Richard Grenel, arriti ti ul përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë dhe të Kosovës në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, takim ky që rezultoi me një marrëveshje shumë të dobishme për të dy shtetet. Zonja Osmani ka kundërshtuar këtë marrëveshje dhe mbi bazën e këtyre kundërshtimeve ka ardhur në pushtet së bashku me z. Kurti. Atëherë mendohej se Trumpi iku, se nuk kthehet, e tani kur u kthye shumë i fortë, mundohen ta mashtrojnë se e kanë implementuar marrëveshjen dhe të bëhen altoparlantë të gabuar të tij. Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë. Dihet, po ashtu, botërisht se marrëveshja nuk është zbatuar në asnjë pikë. Se Kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti, si nënshkrues i saj është sulmuar dhe kritikuar, për fat të keq jo vetëm nga VV dhe znj. Osmani por është margjinalizuar edhe nga partia e tij”, tha Isa Mustafa për Nacionale.