Zemaj: Kemi parë largimin e 280 punëtorëve nga QKUK-ja, nuk jep llogari askush
Foto: Laura Hasani

Zemaj: Kemi parë largimin e 280 punëtorëve nga QKUK-ja, nuk jep llogari askush

Aktuale July 15, 2025 - 14:47

Armend Zemaj, deputet i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se shuarja e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk është treguar efikase dhe kësaj i ka paraprirë mosanaliza e duhur dhe mungesa e një programi studimi.

“Këtë nuk e themi nga një parti që ka qenë në ish-opozitë, por nga shqetësimet tona që jemi përballë në fillim të mandatit më 2021”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk kanë ditur si të adresojnë shpërndarjen në Ministri tjera tek Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë. Tha se këto ministri nuk kanë arritur të adresojnë problematikat apo përgjegjësisë që i kanë pasur sidomos me skemat sociale apo për Qendrat për Punë Sociale.

Zemaj shtoi se nuk ka pasur një hap konkret që e mbron punëtorin ose avancon të drejtat e punëtorëve që iu jep siguri në punë, apo qoftë në trajtimin e tyre dhe numrin e madh të ankesave.

“E kemi parë së fundi largimin e 280 punëtorëve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës për një ditë dhe askush nuk jep llogari dhe asnjë siguri nuk është për ta dhe familjet e tyre, kjo është me të vërtetë për të ardhur keq dhe është fatkeqësi”, u shpreh ai.

Deputeti tha se vendimet e pushtetit të kaluar kanë qenë populiste dhe pa ndikim, pasi sipas tij po të kishin ndikim, nuk do kishim migrim, siç ka ndodhur nga viti 2021 deri më tani.

“Çka është edhe më e keqja nuk kemi vetëm migrim të pjesës sociale, por kemi edhe të asaj deficitare duke përfshirë edhe mjekë, infermierë, inxhinierë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme”, ka thënë ai.

Zemaj tha se raporti i IKD-së mund t’i ndihmojë legjislaturës së re si pjesë kritike dhe përmbajtjesore.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, të martën organizoi takim diskutues dhe publikoi raportin me titull: “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave” – Analizë e reformës qeveritare në fushën sociale. /BetimipërDrejtësi