
Rohde për bllokadën në Kuvend: Ky është një cirk, problemi është te kompromisi
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj dështimit të 47-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e përshkruar situatën politike si “një cirk” dhe një ngërç të dëmshëm për vendin.
Rohde ka thënë se situata e krijuar po ka pasoja serioze ekonomike për qytetarët.
“Mund ta përshkruaj më një fjalë , apo si e quanin parlamentarët sot: ky është një cirk, një ngërç politik, për fat të keq nuk kemi marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara. Nuk kemi shpenzime kapitale të shpenzuara, tenderët janë të bllokuar, dhe kjo ka pasoja ekonomike edhe për popullatën”, ka thënë Rohde në Dukagjin.
Rohde ka theksuar se ka zhvilluar takime me të gjithë liderët politikë, por vuri në dukje mungesën e vullnetit për kompromis dhe faktin se të gjithë aktorët politikë vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin.
“Tani jemi në përpjekjen e 47 për të themeluar Kuvendin dhe Qeverinë. Kam folur me të gjitha liderët politike, javën kaluar dhe dje dhe për fat të keq të gjithë po flasin ‘keq’ për njëri tjetrin. Dhe mendoj që kjo është shume pa fat, që e kemi këtë krizë politike dhe këtë ngërç politik”, ka shtuar Rohde.
“Duhet të ketë shpresë gjithmonë. Por për momentin situata është e bllokuar. Në të kaluarën, në muajt e kaluar, opozita ka bërë propozime si ndryshimi i kandidatit dhe votojmë të për të. Pozita ka thënë të kemi ndryshime procedurale, dhe të shkojmë më votim të fshehtë dhe kjo është refuzuar nga opozita. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë, problemi është te kompromisi. Dhe pse të mos ndërrohet kandidati dhe të kemi votim të fshehtë. Nuk është mriz për Kosovën që kjo të vazhdojë kështu”, ka thënë ndër të tjera ambasadori gjerman.