Osmanaj: Publikimi i emrave të gjyqtarëve nga Murati, sulm i rrezikshëm ndaj drejtësisë

Osmanaj: Publikimi i emrave të gjyqtarëve nga Murati, sulm i rrezikshëm ndaj drejtësisë

Aktuale July 16, 2025 - 08:36

Egzon Osmanaj, nga fondacioni “Friedrich Ebert” (FES), ka komentuar veprimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili publikoi emrat e gjyqtarëve që kanë marrë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme.

Osmanaj e cilësoi këtë reagim si të gabuar dhe të rrezikshëm për kredibilitetin e institucioneve të drejtësisë.

“Nuk ishte një vendim i duhur. Këto veprime janë në kundërshtim me ligjin. Duhet të kemi kujdes sepse shumë shpejt mund të dëmtohet kredibiliteti i institucioneve të drejtësisë”, deklaroi Osmanaj në Tevë1.

Ai komentoi gjithashtu edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që urdhëron konstituimin e institucioneve brenda 30 ditësh. Sipas tij, vendimi ishte i domosdoshëm dhe i qartë, por problemi më i madh është polarizimi ekstrem politik në vend.

“Kjo përçarje e skajshme ka pasoja të jashtëzakonshme për demokracinë. Kemi krijuar dy taborë, pro dhe kundër, që po e minojnë funksionimin e shëndoshë institucional”, theksoi ai.

Osmanaj shprehu shqetësimin se në Kosovë çdo vendim i gjykatave po manipulohet dhe interpretohet për përfitime politike.

“Është fatkeqësi që çdo vendim gjyqësor po shfrytëzohet si mjet politik. Kjo minon drejtësinë dhe dëmton sistemin demokratik të vendit”, përfundoi Osmanaj.