“Kërkojmë zgjidhje urgjente!”, Musliu alarmon për mungesë barnash në QKUK për pacientët me kancer
Foto: Laura Hasani

“Kërkojmë zgjidhje urgjente!”, Musliu alarmon për mungesë barnash në QKUK për pacientët me kancer

Aktuale July 16, 2025 - 08:40

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur alarmante situatën me mungesën e barnave në QKUK, për pacientët me kancer, duke kërkuar urgjentisht transparencë, përgjegjësi dhe veprim nga institucionet shëndetësore.

Ajo ka theksuar se buxheti i rritur nuk duhet të shoqërohet me më pak trajtim për pacientët.

Reagimi i plotë i Musliut, pa ndërhyrje:

Mungesa e barnave për pacientët me kancer në QKUK është alarmante!

Ky nuk është thjesht një lajm i radhës, është një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim. Pacientët me kancer në Kosovë po përballen me një krizë që prek drejtpërdrejt jetën e tyre.

Kjo po ndodh në kohën kur buxheti për materiale shpenzuese, barna esenciale dhe shërbime të tjera shëndetësore është 105 milionë euro qe do te thote rreth 45.6 milionë më shumë sesa vitin e kaluar!

Si është e mundur që me më shumë mjete financiare, pacientët kanë më pak qasje në trajtim?

Sëmundja nuk pret, as mjekët nuk duhet të presin për furnizime, e as pacientët nuk duhet të vuajnë nga paaftësia ose papërgjegjësia institucionale.

Heshtja është bashkëfajësi.

Kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe ZGJIDHJE urgjente!