
Supremja reagon ndaj Qeverisë: Ndërhyrja në vendime gjyqësore, e papranueshme
Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar atë si tendencioze dhe një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.
Të martën, Qeveria e Kosovës reagoi ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila konstatoi se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë është e kundërligjshme dhe përbën shkelje të dispozitave kushtetuese.
Në reagimin e saj, Qeveria në detyrë shprehu "shqetësim" dhe e kundërshtoi aktgjykimin e Supremes, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar”.
Gjykata Supreme shfuqizoi si të paligjshëm një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati. Ky udhëzim, që lidhej me shfrytëzimin e pajisjeve elektronikë fiskalë, sistemeve fiskale dhe softuerëve përkatës, ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill, një ditë pas miratimit nga Murati, i cili tashmë kishte marrë mandatin si deputet pas zgjedhjeve të shkurtit.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Në një deklaratë publike të mërkurën, Gjykata theksoi se komentet e Qeverisë përbëjnë keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore dhe cenojnë legjitimitetin e saj.
“Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues”, thuhet në reagim.
Supremja thekson se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe pret që institucionet shtetërore të zbatojnë vendimet gjyqësore si kusht për funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Çdo përpjekje për të politizuar vendimet gjyqësore dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet më tej.
Ndërkohë, ministri në detyrë, Hekuran Murati, e kundërshtoi vendimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar si “absurd” dhe duke kritikuar publikisht me emër gjyqtarët e Supremes.
“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale,” tha ai.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës shkroi në Facebook se Gjykata Supreme “qartësoi përfundimisht” se ministrat që tashmë janë deputetë nuk mund të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ.
Ligji për Qeverinë parashikon se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon marrjen e vendimeve madhore.
Reagimi i plotë i Supremes, pa ndërhyrje:
Prishtinë, 16 korrik 2025 – Gjykata Supreme e Kosovës shpreh keqardhje për reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë, ndaj aktgjykimit të saj; P.A.nr.09/2025, përmes të cilit shfuqizohet Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.
Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen.
Gjykata Supreme si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Gjykata Supreme pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor.
Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit.