
Vendimi i Speciales për rrëzimin e mocionit të palës mbrojtëse, avokati: Trupi Gjykues dështoi për t’u dëshmuar objektiv
Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar pasi Gjykata Speciale sot ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të ish-krerëve të UÇK-së për të hedhur poshtë disa aktakuza.
Ai ka bërë me dije se edhe në këtë rast trupi gjykues ka dështuar për t’u dëshmuar objektiv.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka treguar se pala mbrojtëse nuk ka të drejtë të apelojë vendimet që refuzohen kërkesat për rrëzimin e aktakuzës.
“Trupi Gjykues dështoi për t’u dëshmuar objektiv. Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të palës mbrojtëse e cila i referohet kohëzgjatjes së konfliktit të armatosur (luftës), në çështjen ndaj ish krerëve të UÇK-së, është dështim i Trupit Gjykues dhe i Gjykatës për t’u dëshmuar objektiv duke e rrënuar kështu edhe më shumë besimin e publikut në drejtësi. Koncepti dhe mënyra se si funksionin kjo Gjykatë, lë hapësira të mëdha për dyshime, megjithatë ende ka shpresë, nëse ka drejtësi, faza pasuese është vendimtare për palën mbrojtëse! Duam drejtësi!”, ka shkruar Bajraktari.