Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: Rast i humbur për drejtësinë, e vërteta s’do të ndryshojë asnjëherë
Foto: Laura Hasani

Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: Rast i humbur për drejtësinë, e vërteta s’do të ndryshojë asnjëherë

Aktuale July 16, 2025 - 12:03

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë për të refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Krasniqi e ka quajtur këtë vendim një “mundësi të humbur” për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet thelbësore të saj: objektivitetin, paanshmërinë dhe respektin për të vërtetën.

“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, shkruan ai.

Në deklaratën e tij, kryetari i PDK-së thekson se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet në sallat e gjykatave, sepse ajo është shkruar me gjakun dhe sakrificën e atyre që luftuan për liri.

“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht!”.

Krasniqi e mbyll reagimin me një mesazh simbolik e shpresëplotë:

“Dielli do të lind përsëri – për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”.