Komandanti i FSK-së, në Wiesbaden me ftesë të ushtrisë amerikane
Foto: Facebook

Komandanti i FSK-së, në Wiesbaden me ftesë të ushtrisë amerikane

Aktuale July 16, 2025 - 12:35

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka udhëtuar për Wiesbaden të Gjermanisë me ftesë të shefit të Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneral Randy Alan George, për të marrë pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane (CEA).

Në konferencën CEA morën pjesë shefat e mbrojtjes nga më shumë se 40 vende, thuhet në një njoftim të Zyrës për informim të FSK-së.

“Në kuadër të konferencës, tema kryesore ishte ‘Ndërtimi i gatishmërisë për parandalimin global’, ku është theksuar rëndësia e të menduarit strategjik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të tejkaluar sfidat globale të sigurisë. Gjatë konferencës po ashtu janë zhvilluar diskutime të rëndësishme për gatishmëri dhe përmirësim kolektiv, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe gjithashtu shfrytëzimin e të dhënave të drejtpërdrejta për analizimin e strategjive ushtarake”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Pjesëmarrja në këtë konferencë të nivelit të lartë, sipas FSK-së, është dëshmi e angazhimit të Kosovës në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare dhe rolit të saj si partnere e besueshme në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.