Molliqaj pas vendimit në Hagë: Reagimi nuk duhet ta presë ditën e fundit
Foto: Laura Hasani

Molliqaj pas vendimit në Hagë: Reagimi nuk duhet ta presë ditën e fundit

Aktuale July 16, 2025 - 14:21

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kërkuar reagim pas vendimit të fundit nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë se reagimet në raste të tilla nuk duhet të presin.

Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:

Gjykata Speciale siç e njohim dhe dimë.

Premisat e mbrapshta të themelimit që u vazhduan me një mori shkeljesh në proces, tash po marrin epilog. Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale, me ç’rast u hodh poshtë mocioni i mbrojtjes kundër një pjese të aktakuzës ndaj udhëheqësve të UÇK-së, përbën vazhdimësi konsekuente të padrejtësisë së kësaj gjykate. Gjykata ka themel të mbrapshtë, dhe e ka përcjellë një proces i padrejtë.

Gjykata tashmë ka sjellur aktgjykime dënuese për Salih Mustafën, Pjetër Shalen, Nasim Haradinajn e Hysni Gucatin. Kjo gjykatë tashmë ka shkaktuar shumë dëm. Kjo gjykatë nuk është instancë përpara të cilës duhet të dëshmohet UÇK-ja. Vetë procesi dhe supozimet e tij përbëjnë padrejtësi. Ka kohë që edhe për secilin optimist indikacionet do duheshin me qenë shqetësuese. Vendimi i sotëm këtë gjë e tregon. Reagimi nuk pret, reagimi nuk duhet ta presë ditën e fundit.