
Sindikata i drejtohet Avokatit të Popullit për policët e ndaluar në rastin e Agon Zejnullahut
Sindikata e Policisë së Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin dhe vlerësimin e të drejtave të pesë policëve, të cilët ndodhen në mbajtje për rastin e vdekjes në rrethana të paqarta të Agon Zejnullahut në Lipjan.
SPK-ja thekson në kërkesë “rëndësinë e mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave themelore të të ndaluarve, vlerësimit të proporcionalitetit të masës së ndalimit, ku SPK konsideron se masa e ndalimit ka qenë e panevojshme dhe se kanë ekzistuar mundësi për masa më të arsyeshme, parandalimit të stigmatizimit publik dhe përdorimit të gjuhës paragjykuese ndaj zyrtarëve policorë; Garancisë për një proces të drejtë dhe të paanshëm ligjor”.
“Me të ndodhur rasti, SPK-ja ka qenë aktive dhe e pranishme pranë kolegëve të ndaluar dhe familjeve të tyre. Kryetari i Sindikatës, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar familjet e pesë zyrtarëve policorë të ndaluar, duke ju shprehur përkrahje të plotë institucionale, morale dhe juridike.Po ashtu, është zhvilluar një takim në Stacionin Policor në Lipjan për të informuar dhe bashkëbiseduar me kolegët lidhur me zhvillimet dhe për të ofruar mbështetje konkrete”, thotë mes të tjerash SPK-ja.
Kjo sindikatë po ashtu thotë se nuk ndërhyn në procesin hetimor dhe nuk paragjykon rrjedhën e drejtësisë, por se “është e obliguar të kërkojë që ndaj çdo zyrtari të Policisë së Kosovës të ketë trajtim të drejtë, human dhe ligjor, në përputhje me të gjitha standardet vendore dhe ndërkombëtare”.
27-vjeçari vdiq në orët e hershme të 7 korrikut në Lipjan.