
Supremja vendos kufijtë - shkelja mund të çojë në ndjekje penale
Krizës së gjatë për formimin e institucioneve në Kosovë së fundmi iu shtua edhe një sfidë e re: vendimi i Gjykatës Supreme që e konsideron nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë, si të kundërligjshme dhe shkelje të dispozitave kushtetuese.
Vendimi i datës 15 korrik lidhet me shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve fiskale, të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati - i cili është edhe deputet - e që Gjykata Supreme e shpalli të paligjshëm.
Ky aktgjykim u pasua me reagime të ashpra: Qeveria në detyrë e cilësoi si “arbitrar” dhe “të pabazuar në ligj” - duke argumentuar se Ligji për Qeverinë nuk i ndalon shprehimisht ministrat në detyrë të nxjerrin akte nënligjore - ndërsa Gjykata Supreme paralajmëroi se çdo ndërhyrje në vendimet e saj gjyqësore është e papranueshme.
“Ndërhyrja në gjyqësor është e papranueshme”, tha edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se vendimi i Supremes është i drejtë dhe i detyrueshëm për zbatim, duke theksuar se çdo mospërfillje e tij mund të përbëjë shkelje penale.Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe ministrin në detyrë, Murati, se çfarë hapash do të ndërmarrin pas këtij aktgjykimi, por nuk mori përgjigje.
Qeveria nuk dha qëndrim as lidhur me pyetjen nëse po shqyrton mundësinë që ministrat, të cilët janë njëkohësisht edhe deputetë, të ndalin ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
Lidhja Demokratike e Kosovës iu drejtua Prokurorisë Speciale më 16 korrik për të kërkuar hetime penale ndaj Qeverisë në detyrë, duke dorëzuar si provë vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale.
Sipas deputetëve të kësaj partie, Besian Mustafa dhe Alban Zogaj, ky vendim konfirmoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme pas certifikimit të ministrave si deputetë, më 27 mars.
KDI: Vendimi i Supremes thekson shkeljet dhe hap rrugë për kontestime ligjore
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili përcjell punën e Kuvendit, vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, është i drejtë dhe i plotfuqishëm.
Ai thekson se çdo mosbindje ose mosrespektim i këtij vendimi përbën shkelje penale.“Konkretisht, në rastin në fjalë, ministri Murati, nëse vazhdon ta mbajë në fuqi - përkundër që Gjykata (Supreme) e ka anuluar ligjshmërinë apo përmbajtjen e këtij Udhëzimi Administrativ - atëherë ai nuk e zbaton këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe bën shkelje penale”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se vendimi i Supremes, aktualisht, ka efekt vetëm mbi Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë, Murati. Të gjitha aktet tjera të ministrave në detyrë, që janë njëkohësisht edhe deputetë, mbesin në fuqi, përderisa nuk janë kontestuar në gjykatë.
Megjithatë, thotë Bugaqku, ky vendim lë të kuptohet se edhe vendimet tjera të ngjashme - të nxjerra nga zyrtarë me funksione të dyfishta - mund të jenë të paligjshme dhe të sfidohen juridikisht.
“Ky vendim i Gjykatës Supreme mund të shërbejë si një precedent i mirë ose si një bazë e mjaftueshme ligjore për të gjitha ato palë që janë të afektuara në kuptimin negativ nga vendimet e zyrtarëve publikë. Pra, ta përdorin këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme si provë për t’i kontestuar [vendimet e ngjashme] në gjykata dhe, pastaj, edhe ato të anulohen”, thotë Bugaqku.
Ai shton se vendimi i Gjykatës Supreme e ka sqaruar mirë konfliktin që lind nga ushtrimi i njëkohshëm i funksioneve në ekzekutiv dhe legjislativ nga zyrtarët publikë, por shpreh shqetësimin se ai mund të përdoret nga partitë parlamentare për thellimin e përplasjeve politike.“Situata e tillë veç i ashpërson dhe i betonizon edhe më tepër qëndrimet e palëve, në këtë rast të partive të mëdha parlamentare, që të mos bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, vlerëson Bugaqku.
Pasojat ligjore në duar të Prokurorisë
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se vendimi i Supremes për ta shpallur të paligjshëm udhëzimin në fjalë është i drejtë, por thotë se u takon organeve të ndjekjes të vlerësojnë nëse ekzistojnë kushte për nisjen e procedurave penale.
“Madje, edhe vetë ministrat në detyrë... unë besoj se e kanë të qartë se nuk duhet të veprojnë me konflikt interesi, sepse jo vetëm që mund të shkelin dispozita që janë përmendur në aktgjykim, por mund të gjendet edhe bazë juridike që dikush t’i ndjekë. Ajo që i ndjek, është Prokuroria e vendit dhe ne nuk mund të paragjykojmë se a do ta bëjë këtë”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.
Ai shpjegon se Kosova nuk ka sistem gjyqësor që thirret në precedentë, ndaj vendimi i fundit i Gjykatës Supreme nuk zbatohet automatikisht për raste të tjera.
Sipas tij, qytetarët apo bizneset mund të kërkojnë drejtësi nëpërmjet padive, nëse mendojnë se janë dëmtuar nga ndonjë vendim i ministrave në detyrë që mbajnë edhe mandat deputeti.
“Pra, mund të iniciojnë (padi) patjetër, sepse parimi i analogjisë në drejtësi është parim që vlerësohet lart dhe është parim standard funksional”, thotë Baraliu.Ministrat në detyrë përballen tashmë me së paku 17 kallëzime penale, të ngritura nga LDK-ja.
Kosova vazhdon të mbetet me qeveri në detyrë, pasi, pas zgjedhjeve të shkurtit, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve të thella politike.
Përpjekja e radhës për konstituim, e 48-a, do të bëhet më 17 korrik.