Pse e rrëzoi Specialja mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së?
Foto: Laura Hasani

Pse e rrëzoi Specialja mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së?

Aktuale July 16, 2025 - 20:04

Katërshja u paraqit në sallë si rrallëherë.

Ish krerët e UÇK-së, nga afër dëgjuan vendimin e Gjykatës për sfidimin e akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Edhe kësaj here, si mocionet tjera përgjatë gjykimit, Gjykata Speciale i rrëzoi.

“Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet sipas Rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose materiale që formojnë pjesë të aktakuzës në qoftë se për shkaqe kohore ose për shkaqe të tjera. Mbi këtë bazë, trupi gjykues e rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas Rregullës 130 në tërësinë e vet”, tha Charles Smith – kryegjykatës.

Sipas kryegjykatësit, mbrojtja në mocionin e saj, nuk ka kundërshtuar akuzat në veçanti, por materiale që lidhen me akuzat.

“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë”, u shpreh ai.

Gjykimi i ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, vazhdoi me dëgjimin e dy dëshmitarëve të mbrojtësit të viktimave.

Në sallën e gjyqit, njëherësh dëshmuan një psikologe dhe një psikiatre.

Ato shpjeguan raportin e hartuar mbi viktimat që marrin pjesë në këtë proces gjyqësor.

“Akumulimi i traumës do të thotë që personi pëson disa ngjarje traumatike. Dhe do të thotë që efektet e traumës akumulohen, dhe grumbullohen sepse ndodh që një person gjatë luftës mund të marrë pjesë në disa bombardime. Në raport situatat e ndalimit janë përvoja shumë të rënda, hulumtimet në teren tregojnë se këta persona kanë shumë probleme”, tha Karin Duhne-Prinsen – psikologe.

Ndërkaq, psikiatrja u tha se personat që kanë pësuar trauma gjatë luftës mund të pësojnë përkeqësim të shëndetit mendor në mungesë të përkrahjes institucionale.

“Nga përvoja klinike do thoja që njëra prej mënyrave se si mungesa e drejtësisë ose mbështetja sociale ose institucionale mund të ketë ndikim negativ mbi përkeqësimin e shëndetit mendor është përmes asaj që ne e quajmë zhvlerësim ose mosvalidim i asaj se çfarë ka kaluar viktima. Pra, nëse një person nuk njeh përvojat ose pjesën personale të dikujt, kjo mund të ketë një ndikim negativ mbi shërimin nga trauma ose në të njëjtën mënyrë se si mungesa e drejtësisë mund të ketë ndikim mbi tema të shëndetit mendor”, tha ajo.

Pjesë e raportit kanë qenë 20 viktima të drejtpërdrejta, në mesin e të cilëve u tha se janë dhjetë fëmijë.