
Sa po i kushtojnë shtetit avokatët në Hagë?
Që kur ka nisur procesi gjyqësor në Hagë ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me miliona euro janë shpenzuar nga buxhetit i shtetit për mbrojtjen dhe për familjarët e të akuzuarve pranë Dhomave të Specializuara.
Me më së shumti me shpenzime prijnë katërshja; Jakup Krasniqi, Rexhepi Selimi, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, mbi 20 milionë euro kanë kushtuar ekipet e mbrojtjes së ish krerëve të UÇK-së.
Me miliona euro nga arkat e shtetit janë dhënë edhe për avokatët e të akuzuarve të tjerë ndërsa të gjitha shpenzimet prekin shifrën e 32,944,287.80 €(tridhjetë e dy milion e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e tetëdhjetë cent).
Ndonëse shteti ka dhënë me miliona euro për ekipet e mbrojtjes, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, thotë se gjatë kohës sa ai ka qenë në proces gjyqësor është përballur më vështirësi financiare.
“Unë nuk jam i kënaqur me angazhimin e institucioneve për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare. Këtu nuk ka të bëjë vetëm për pagesat e mbrojtjes sepse shteti do duhej angazhohej edhe në monitorimin e kësaj gjykate. Në shumë raste avokati im edhe të tjerët kanë bërë ankesa deri tek kryeministri për çështjen e pagesave”, ka thënë Haradinaj.
Tutje, Haradinaj tha se nuk duhet të bëhet propagandë me çështjen e pagesave sepse sipas tij liria nuk ka çmim.
Në anën tjetër nga Ministria e Drejtësisë kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë t’i kryejnë pagesat në mënyrë të rregullt në përputhje me marrëveshjet valide ne fuqi.
Ndryshe, në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës mes tjerash kishte miratuar një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes./teve1