Qytetarët pas vendimit të Speciales: Po i mbajnë padrejtësisht, akuzat janë të Serbisë
Foto: Laura Hasani

Qytetarët pas vendimit të Speciales: Po i mbajnë padrejtësisht, akuzat janë të Serbisë

Aktuale July 17, 2025 - 08:32

Pas vendimit të trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë për refuzimin e mocionit të mbrojtjes për rrëzimin e pikave të aktakuzës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndër qytetarë me të cilët bisedoi Ekonomia Online mbizotëron mendimi se ish-drejtuesit e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe se akuzat janë të Serbisë.

Qytetari Vesel Veseli kritikon trajtimin e pabarabartë të të akuzuarve shqiptarë krahasuar me të burgosurit serbë.

“Trajtimi nuk po më duket se është në rregull në Hagë. Kur është fjala për palën armike, kriminelët serbë, atyre iu bëhen privilegje, kurse njerëzve të UÇK-së vetëm mundohen t’u gjejnë ndonjë fakt të gjallë se si t’i dënojnë. E kam dyshimin që kohët e fundit po i shkelin ligjet, sidomos të drejt dhe liritë e njeriut. Shumë prej privilegjeve që i kanë të burgosurit serbë, kriminelë të luftës, ua tolerojnë, ua mundësojnë të kenë televizorë e lukse të tjera në dhomat e burgut, kurse të tanëve nuk ua japin atë liri dhe komoditet. Ndaj njerëzve të UÇK-së bëjnë akuza të pabaza vetëm që t’i dënojnë”, tha Veseli.

Një qytetar tjetër, që zgjodhi të mbetet anonim, e cilëson procesin si të padrejtë dhe të ndikuar nga Serbia, duke shprehur shpresën për lirimin e shpejtë të ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Dihet që po i mbajnë padrejtësisht. Ato akuza janë të gjitha të Serbisë. Nuk besojmë që do të ketë drejtësi. Po dihet: aty nuk ka asnjë drejtësi. Qeveritarët tanë duhet të merren me ta, sepse ne e gëzojmë lirinë falë tyre. Shpresojmë sa më shpejt të lirohen, sepse vështirë është edhe për familjarët e tyre. Mendoj që shumë shpejt do të kthehen”, tha ai.

Ndërsa qytetari tjetër, Zymer Maxharra, thekson rëndësinë e besimit në drejtësi.

“Nuk e di. Kjo ngjarje ka shkuar shumë gjatë qe 25 vjet poshtë-lart. Shumë gjëra kanë qenë që populli nuk i ka ditur. E vendos gjyqi dhe besoj e kryejmë edhe këtë punë. Duhet të besojmë në gjykatë, sepse është nivel më i lartë. Fajin e cakton gjyqi. Mediumet janë bërë që zor t’u besojmë”, shtoi ai.