Uran Ismaili: Vendimi i parë si kryetar i Prishtinës, hapja e sheshit “Xhorxh Bush”
Foto: Laura Hasani

Uran Ismaili: Vendimi i parë si kryetar i Prishtinës, hapja e sheshit “Xhorxh Bush”

Aktuale July 17, 2025 - 14:18

Në ditën e zyrtarizimit të kandidaturës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka dhënë një mesazh të qartë: “ndryshimi për Prishtinën nis menjëherë dhe vendimet e rëndësishme nuk do të vonojnë”.

Në videon e publikuar të shpalljes së kandidaturës, Ismaili ka paralajmëruar vendimin e tij të parë si kryetar i ardhshëm i kryeqytetit – rihapjen e sheshit “Xhorxh Bush.”

Sheshi “Xhorxh Bush” te Katedralja u mbyll në fillim të mandatit aktual i Prishtinës, me arsyetimin për të ofruar një zgjidhje për trafikun në qytet. Megjithatë, prej asaj kohe nuk është bërë asnjë investim konkret, ndërkohë që bllokimi i kësaj nyje të rëndësishme për kryeqytetin ka rezultuar në rritje të ndjeshme të trafikut, pengesa në qarkullim dhe pakënaqësi nga qytetarët dhe bizneset përreth.

“Prishtinës i duhen zgjidhje konkrete dhe të shpejta për ta nxjerr nga kaosi dhe ngecja. Ky është njëri nga ato vendime” përçon mesazhin në video Uran Ismaili.

Nëpërmjet këtij paralajmërimi të parë, Uran Ismaili po tregon se fushata e tij do të fokusohet në zgjidhje të menjëhershme për problemet e përditshme të qytetit, duke filluar nga trafiku, qentë endacak, bërlloku e hapësirat publike.

Me sloganin “Koha për Prishtinën”, Uran Ismaili po shpalos hap pas hapi vizionin e tij për një Prishtinë funksionale, të jetueshme dhe më afër qytetarit. Rihapja e sheshit është vetëm fillimi.