
Dështon të mbahet seanca për vërtetim pronësie, mungojnë përfaqësuesit e palës së paditur
Në mungesë të përfaqësuesve të të paditurve F.L., S.L., dhe M.L., ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për vërtetimin e pronësisë.
Gjykatësi i rastit, Labinot Zeka tha se për të paditurin e parë F.L., është konstatuar se adresa është e pasaktë, ndërsa nga fletëkthesa me të cilin është ftuar përfaqësuesi i tij- avokati Nit Shala, është konstatuar se i njëjti ka vdekur.
Kurse, për përfaqësuesen e F.L., gjyqtari tha se është konstatuar që avokatja Mimoza Shala refuzon të përfaqësojë dhe se nuk punon më si avokate.
Për të paditurën e dytë dhe të tretë nuk ishte i pranishëm askush dhe se nga fletëkthesa është konstatuar se janë ftuar në mënyrë të rregullt.
Në mungesë të kushteve, seanca është shtyrë për një datë tjetër.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 16 maj 2017, A.L., ka kërkuar të vërtetohet pronësia në ¼ e pjesës ideale të paluajtshmërive në Prishtinë dhe të paditurit t’ia njohin të drejtën e pronësisë në paluajtshmëritë të cekura në padi, e gjithashtu edhe t’ia dorëzojnë të njëjtën në posedim të papenguar.
Gjithashtu, paditësja A.L., përmes propozimit për caktimin e masës së sigurisë ka kërkuar që t’iu ndalohet kundërshtarëve të propozimit për masë të sigurisë, F.L., S.L., dhe M.L., tjetërsimi i ngastrave, apo lidhje të kontratës për dhurim apo kontratës për bashkimin e mjeteve dhe kapitalit për ndërtimin e objekteve kolektive banesore, me çka do të rrezikonte dhe vështirësonte realizimin e kërkesëpadisë së propozuesit të sigurimit. /BetimipërDrejtësi