
Muja akuzon LDK-në dhe PDK-në për koordinim me drejtësinë kundër Qeverisë Kurti
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka akuzuar LDK-në dhe PDK-në për bashkëpunim të koordinuar me sistemin e drejtësisë për arrestimin e ministrave të Qeverisë Kurti.
Muja përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se ekziston një “orkestrim politik” dhe se LDK po vepron si “vegël e PDK-së”.
Sipas tij, opozita po tenton të rikthehet në pushtet përmes gjykatave dhe jo përmes votës së qytetarëve, duke i bërë thirrje për zgjedhje të reja.
Postimi i plotë:
Nga konferenca e djeshme e PDK-së dhe LDK-së u kuptua qartë: ka koordinim dhe orkestrim politik për arrestimin e ministrave tanë.
LDK, si gjithmonë, mbetet vegël e PDK-së. Jemi u përpjekur t’i largojmë nga kjo rrugë, por janë të pandashëm. U ftuan veçmas në takim, nuk erdhën pa PDK-në.
Skenari i njohur:
LDK dorëzon kallëzime penale, ndërsa gjyqtarët e PDK-së nxjerrin vendime dhe urdhëra.
Dita nisi me bllokadë në Kuvend dhe u shoqërua me kallëzime në Prokurori. Këta duan të rikthehen në pushtet përmes gjykatave, jo përmes qytetarëve. Por kjo nuk do të ndodhë!
Nëse nuk duan Kuvendin, atëherë le të shkojmë në zgjedhje! Mjaft është mjaft. Le të vendosin qytetarët për përbërjen e re të Kuvendit.