Doyle: Mustafa shkeli urdhrin gjyqësor duke mos deklaruar pasurinë e tij

Doyle: Mustafa shkeli urdhrin gjyqësor duke mos deklaruar pasurinë e tij

Aktuale July 17, 2025 - 21:00

 

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovë (DHSK), Michael Doyle, tha se gjykatësi i vetëm i caktuar për mbikëqyrjen e zbatimit të urdhrit kundër Salih Mustafës për zhdëmtim të viktimave lëshoi një vendim në të cilin konstatoi se Salih Mustafa nuk ka përmbushur detyrimet e tij sipas Urdhrit për Zhdëmtim dhe në të cilin informoi z. Mustafa se do fillojë të llogaritet një normë interesi prej 8 për qind në vit në lidhje me Urdhrin për Zhdëmtim, i cili ende nuk është zbatuar që prej datës kur ai u njoftua për këtë vendim.

“Vendimi lidhet pjesërisht me refuzimin prej z. Mustafa për të plotësuar formularin e deklarimit të mjeteve financiare që do t’i mundësonte gjykatës të përcaktojë se deri në cilën shumë ai mund të paguajë zhdëmtimin, dhe faktin që Administratorja nuk ka marrë ende përgjigje nga z. Mustafa në lidhje me aspektin e pagesave vullnetare për viktimat”, tha ai sot në konferencë për media.

Sipas tij, vendimi i fundit përfshin gjithashtu disa hollësi në lidhje me zbatimin e mëhershëm të urdhrit për zhdëmtim që nuk ishin publike më parë.

“Në një vendim në mars, Gjykatësi i Vetëm urdhëroi Administratoren të njoftonte z. Mustafa për modalitetet e çdo pagese vullnetare që ai dëshiron të paguajë për të përmbushur detyrimin ndaj viktimave dhe të bënte vlerësimin e mjeteve financiare të z. Mustafa për të përcaktuar nëse mjetet financiare aktuale dhe të ardhshme, duke marrë parasysh nevojat familjare, i mundësojnë atij të paguajë plotësisht zhdëmtimin e urdhëruar, brenda një periudhe të arsyeshme. Po në atë vendim të marsit 2024, Gjykatësi i Vetëm urdhëroi gjithashtu pagesën e zhdëmtimit për viktimat nga pasuritë e z. Mustafa, që rrjedhimisht zbaton Urdhrin e Zhdëmtimit. Më 19 korrik 2024, Administratorja informoi Gjykatësin e Vetëm se urdhri i tij në lidhje me pagesën e (pjesshme) të zhdëmtimit për viktimat ishte zbatuar dhe ajo parashtroi një tabelë me hollësi për shumën proporcionale që i është paguar secilës viktimë”, tha ai.