Iu ndalua zëvendësi në Kosovë, reagon Petkoviqi: E njoftova Brukselin

Iu ndalua zëvendësi në Kosovë, reagon Petkoviqi: E njoftova Brukselin

Aktuale July 18, 2025 - 23:44

Mbrëmjen e sotme, derisa po tentonte të kalonte përmes Bërnjakut në Serbi, është ndaluar Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe.

Ndalimi i tij erdhi pas një fjalimi që ai mbajti në Rahovec, ku edhe përdori gjuhë të papranueshme për UÇK-së, të cilën thuhet se e quajti edhe “terroriste”.

Kështu tha ministri në detyrë i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla.

“Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.

E ndaj këtij ndalimi ka reaguar shefi i tij, Petar Petkoviq. Ai tha se për rastin e ka njoftuar Brukselin dhe ka kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Në reagim, Petkoviqi thotë se me këtë veprim, Kurti po dëshiron të nxisë një krizë të re në terren dhe që serbëve t’u dërgojë mesazh se “për ta nuk ka as qetësi e as drejtësi”.

Popoviqi, pas ndalimit, është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë. /Klankosova.tv