
Sot, temperatura deri në 38 gradë Celsius
Kosova këtë javë do të përballet me një valë të të nxehtit të skajshëm, si pasojë e masave ajrore të ardhura nga Afrika Veriore.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga data 21 deri më 25 korrik, vendi do të mbizotërohet nga temperatura shumë të larta, të shoqëruara me përmbajtje të ulët lagështie dhe pa reshje të shiut.
Sot, sipas IHMK-së, moti do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të sillen nga 13 – 16° C, kurse ato maksimale nga 33 – 38° C.
Era do të jetë e lehtë nga drejtime të ndryshme.
IHMK-ja paralajmëron për rreziqe të shtuara ndaj shëndetit publik, sidomos për grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
“Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet të shmangen rrezet direkte të diellit nga ora 9:00 deri në 17:00”, thekson IHMK-ja.