
Dështon për herë të 50-të konstituimi i Kuvendit, afati kushtetues në pikëpyetje
Ka dështuar edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke reflektuar ngecjen e thellë të procesit institucional.
Deri tani të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.
Kryesuesi i seancës Avni Dehari bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën, në orën 11:00.
Në qendër të bllokadës mbetet mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit, që do të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe, AAK-ja dhe Nisma vazhdojnë të bëjnë rezistencë, ndërsa LVV-ja insiston në kandidaturën e saj (Albulena Haxhiu) dhe votimin e fshehtë.
Sot, nga 104 deputetë të pranishëm, vetëm 53 deputetë votuan pro formimit të këtij komisioni.
Të gjitha këto ngjarje po ndodhin me vetëm pak ditë përpara fundit të afatit 30-ditor kushtetues, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin KO124/25, i cili kërkon konstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik 2025.