
KMDLNJ-ja reagon pas vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë: Qeveria po e shpërfill sigurinë në punë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas vdekjes tragjike të dy punëtorëve ndërtimtarie në Gjakovë, të cilët humbën jetën pasi ranë nga kati i dytë i një ndërtese në ndërtim. KMDLNJ-ja shpreh ngushëllime për familjet e viktimave dhe kërkon hetime urgjente për rrethanat e aksidentit.
Në reagimin e saj, KMDLNJ-ja kritikon Qeverinë për mungesë veprimi dhe neglizhencë sistematike ndaj kushteve të rrezikshme të punës, mungesës së pajisjeve mbrojtëse dhe mosfunksionimit të Inspektoratit të Punës. Sipas KMDLNJ-së, Qeveria po injoron sindikatat dhe nuk po ndërmerr masa për të parandaluar humbjen e jetëve në vendin e punës.
“KMDLNJ-ja do të përkrahë çdo protestë të punëtorëve që kërkojnë kushte më të sigurta, sepse e drejta për jetë është e drejtë themelore e njeriut”, thuhet në reagim.