Franca kërkon lirimin e shpejtë të Popoviqit, që u arrestua në Kosovë

Franca kërkon lirimin e shpejtë të Popoviqit, që u arrestua në Kosovë

Aktuale July 24, 2025 - 14:40

Ministria e Jashtme e Francës ka reaguar pas ndalimit të zëvendësnegociatorit serb, Igor Popoviq, nga autoritetet në Kosovë, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm dhe nënvizuar rëndësinë e lirisë së lëvizjes për pjesëmarrësit në dialogun Kosovë – Serbi.

Në deklaratën e lëshuar të mërkurën, Franca ka theksuar mbështetjen e saj të palëkundur për ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përpjekjet e përfaqësuesit të posaçëm për rifillimin e dialogut.

“Kjo nënkupton që negociatorët dhe ekipet e tyre duhet të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm dhe në mënyrë të sigurt në të dy vendet”, thuhet në deklaratë.

“Franca dëshiron që z. Igor Popoviq të lirohet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në reagim, transmeton Zeri.info.

Po ashtu, Parisi i bëri thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë përpjekjet për normalizim.

Policia e Kosovës ka arrestuar më 18 korrik Igor Popoviq, pasi gjatë një fjalimi të tij në Rahovec përdori fjalë të rënda për UÇK-në. /Zëri