Aprovohet kërkesa e ish-krerëve të UÇK-së për qasje në aktgjykimin e Shalës

Aprovohet kërkesa e ish-krerëve të UÇK-së për qasje në aktgjykimin e Shalës

Aktuale July 24, 2025 - 17:40

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhKS) në Hagë, është marrë vendim që mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit t’iu jepet qasje në aktgjykimin konfidencial të Gjykatës së Apelit ndaj Pjetër Shalës.

Zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, tha se Paneli i Apelit ua ka rikujtuar palëve klasifikimin konfidencial të dokumentit.

"Më  21 korrik, Trupi Gjykues rrëzoi një mocion urgjent të Mbrojtjes që kërkonte qasje në versionin konfidencial të Aktgjykimit të Apelit në çështjen Pjetër Shala. Meqenëse Paneli i Gjykatës së Apelit është ende i angazhuar me apelin kundër Urdhrit për Zhdëmtim në të njëjtën çështje gjyqësore dhe se procesi në këtë çështje është ende në vazhdimësi para të njëjtit Panel të Gjykatës së Apelit, Trupi Gjykues udhëzoi Mbrojtjen t’ia dorëzonte këtë kërkesë Panelit të Gjykatës së Apelit. Më 24 korrik, Paneli i Apelit miratoi kërkesën dhe u rikujtoi palëve klasifikimin konfidencial të dokumentit", tha ajo sot në një konferencë për media.