
Cakolli tregon se çfarë mund të ndodhë me Kuvendin pas përfundimit të afatit kushtetues
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka folur për bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës dhe afrimin e fundit të afatit 30 ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Cakolli thotë se nëse s’do të ketë një zgjidhje as brenda dy ditëve të ardhshme, premtes dhe së shtunës, atëherë e vetmja gjë e qartë është se Kuvendi s’ka më legjitimitet të mblidhet.
“E vetmja gjë e qartë është që pas të shtunës, Kuvendi s’ka legjitimitet për t’u mbledhur më”, ka thënë Cakolli në T7.
Ai shprehet se rrugëdalja është që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të fillojë konsultimet me partitë për caktimin e zgjedhjeve, duke sqaruar se këtë ia mundësojnë tri dispozita.
“Rrugëdalja, është që presidentja menjëherë të filloj konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe këtë mund ta bëjë këtë bazuar në tri dispozita”, ka thënë Cakolli.
Ai ka thënë se gjasat janë të mëdha që Gjykata të mos kthejë përgjigje për punën e masës së përkohshme dhe të kthejë përgjigje për pyetjet e tjera që janë parashtruar nga dy partitë dhe presidentja.