
Një ditë para përfundimit të afatit të Kushtetueses, analistët: Në momentin e fundit mund të ketë befasi
Tentimi i 52-të me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të zhvillohet të premten. Kjo është edhe mundësia e fundit për përmbylljen e këtij procesi para se të përfundojë afati i përcaktuar kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Në seancën e nesërme të pranishëm kanë paralajmëruar se do të jenë edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani, në kërkesën për interpretim për pasojat juridike që lindin nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, ka kërkuar nga Kushtetuesja pezullimin e rrjedhjes së afatit 30 ditësh.
Pezullimi i afatit nga Kushtetuesja edhe mund të ndodhë, thotë për Radio Kosovën njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu. Sipas tij, kur vendi është në një emergjencë nacionale dhe ka rrezik për vakuum institucional, reagimi i Kushtetueses duhet të jetë i shpejtë.
“Nuk do të duhej të ndodhte që të mos konstituohet Kuvendi deri më datë 26. Nëse kjo ndodh, atëherë kjo klasë politike është e dështuar. Deputetët nuk e di se si do arsyetonin veten për t’u justifikuar para dikujt se kjo që po bëjnë është diçka që duhet bërë. Nuk është! Por, edhe Gjykata Kushtetuese ka përgjegjësi të jashtëzakonshme në këtë rast dhe duhet të jetë shumë efikase, e në mënyrë emergjente të marrë vendim në kërkesën e presidentes, mundësisht edhe para datës 26”, tha Baraliu.
Analisti politik, Artan Muhaxheri, kërkesën e presidentes adresuar në Kushtetuese e sheh si të vonuar. Ai thotë se aktualisht nuk ka sinjale që do të ketë ndonjë marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes së Kurtit dhe Nismës Socialdemokrate të Limajt. Por, nga ky i fundit, sipas Muhaxhirit, mund të ketë ndonjë befasi.
“Mund të ndodhë që në momentin e fundit zotri Limaj ta bëjë një sakrificë dhe t’ia falë votat e partisë së tij zotëri Kurtit. Mirëpo, pas kësaj do të fillonte numërimi mbrapsht për krijimin e Qeverisë, çka vështirë se mund të ndodhë, e në këtë situatë, besoj se vetëm zgjedhjet e reja do të na presin”, tha Muhaxheri.
Një përpjekje e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e 52-ta më radhë, do të mbahet këtë të premte. E pas kësaj, të tilla mund të ketë edhe në vijim, deri të shtunën në mesnatë, kur përfundon afati për konstituimin e legjislaturës së dalë nga parlamentarët e 9 shkurtit.