
Kushtetuesja vendos masë të përkohshme për seancën konstituive
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, që do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, periudhë në të cilën deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat "mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës".
Më 24 korrik, Kushtetusja tha se ekzistojnë rrethana të intersit publik, që e përfshijnë rendin kushtetues të Kosovës, që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.
"Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj", u tha në vendim.
Vendimi për vendosjen ex officio të masës së përkohshme, Kushtetuesja tha se e mori pas pranimit të dy lëndëve në fillim të korrikut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy lëndë janë bashkuar, tha Kushtetuesja, duke shtuar se Gjykata po ashtu ka pranuar komente nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këto lëndë.
Kushtetuesja doli me një aktgjykim për ngërçin politik më 26 qershor, duke obliguar deputetët që ta konstituonin organin ligjvënës brenda një muaji.
Megjithatë, edhe pse vazhdime të seancës konstituive janë mbajtur çdo 48-orë, deputetët nuk kanë arritur deri më tani pajtim për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri e as për mënyrën e votimit për të.
Teksa afati 30-ditor po afrohej, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.
Gjykata në vendimin e 24 korrikut përmendi edhe faktin që Osmani, i është drejtuar me kërkesë për sqarime, e cila është regjistruar si lëndë e veçantë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i tha më herët gjatë ditës Radios Evropa e Lirë se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme për Kushtetuesen.
Ai tha se Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim mbi këtë çështje në bazë të kërkesave të paraqitura nga deputetët e dy partive politike dhe jo mbi kërkesën e presidentes.
Njoftimi i Kushtetueses vjen një ditë para se deputetët të mblidhen për vazhdimin e 52-të të seancës konstituive. Nëse edhe të premten partitë nuk lëvizin nga qëndrimet, atëherë seanca e radhës mund të thirret vetëm pas 8 gushtit.
\