
Ky është mesazhi i Thaçit nga qelia e Hagës për qytetarët
Nga qelia në Hagë, ku ndodhet tash e pesë vjet, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët.
Ai shprehet se nuk e di nëse mesazhi i tij do të dëgjohet apo lexohet, por megjithatë ndjen nevojën të ndajë mendimin e tij.
Mes rreshtave, Thaçi ka dhënë disa porosi.
“Mesazh nga qelia – nuk e di a do të ketë kuptim, nuk e di sa do të jetë i qëlluar, apo nëse dikush do ta dëgjojë apo lexojë. Por, meqë është kërkuar, do ta shfaq si mendim. Edhe sot përcjell dashuri për bashkëkombësit, kudo që jetojnë. Respekt për partnerët ndërkombëtarë, me të cilët së bashku siguruam ekzistencën dinjitoze, mbijetuam dhe arritëm qëllimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Deri para pak kohe, ishim një shtet dhe popull në ngritje, të respektuar nga të gjithë. Sot, duhet pasur kujdes të mos i ngatërrojmë punët vetë. Mendimi im është që të rritet uniteti shtetformues dhe qytetar, dhe të kemi më shumë besim në rrugëtimin dhe vlerat euroatlantike”, tha Thaçi për emisionin Rubikon në Klan Kosova.