
Ish-zyrtari amerikan: Kjo krizë që po kalon Kosova do të tejkalohet dhe vendi do të ketë një të ardhme më të mirë
Christopher Hyland, ish-zyrtar i administratës amerikane, në kohën kur Bill Clinton ishte president i SHBA-së, u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ai tha se konstituimi i Kuvendit do të ndodhë, ashtu si edhe formimi i qeverisë.
Sipas tij, partitë opozitare duhet t’ia lejojnë Kurtit edhe një mandat, sepse ai ka marrë më shumë vota sesa partitë e mëdha të kombinuara.
“Takimi shkoi shumë mirë. Ai është një njeri me vetëbesim dhe autoritet. Kjo krizë që po kalon Kosova do të tejkalohet dhe vendi do të ketë një të ardhme më të mirë. Konstituimi i Kuvendit do të ndodhë, ashtu si edhe formimi i Qeverisë”.
“Albin Kurti beson se kjo periudhë do të kalojë. Besoj që nëse presidenti Trump do të ishte kryeministër i Kosovës, do të ndiqte të njëjtën politikë. Kosova do të jetë dhe duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe çfarëdo tensionesh të ketë tani, janë të përballueshme. Kosova duhet ta zgjidhë çështjen e saj me Serbinë. Serbia është duke e bllokuar progresin, sepse ata përfitojnë shumë kur nuk ka progres, marrin shumë shpërblime nga BE-ja dhe Rusia”, tha Hylandi. /EO