
Fetoshi: Serbia përshkallëzon propagandën kundër Kosovës
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq pas takimit me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, duke i vlerësuar si “përshkallëzim të ofensivës hibride të Beogradit kundër Kosovës”.
Lidhur me pretendimin për situatë “veçanërisht të përkeqësuar” në Kosovë, pas arrestimit të Igor Popoviqit për shkak të “nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit etnik”, ai ka ironizuar duke përdorur metaforën e bishtit të dhelprës, derisa pohimet se gjoja Prishtina po e rrezikon normalizimin, si dhe kushtëzimin e dialogut me lirimin e Popoviqit, i ka përshkruar si strategji që përmblidhet me fjalët “provoko, viktimizohu dhe shantazho”.
“Në çdo vend demokratik, gjuha e urrejtjes dhe nxitja e përçarjes është e dënueshme dhe nuk mbrohet nga liria e shprehjes, mirëpo për ideologjinë naciste të Beogradit, çdo serb që arrestohet në Kosovë është ‘viktimë’ dhe çdo serb që e minon Kosovën është ‘martir’”, ka shkruar Fetoshi, sipas të cilit, “strategjia e mohimit të krimeve, glorifikimi i kriminelëve të dënuar për gjenocid, manipulimi me ‘viktimizimin’ dhe shantazhi ndaj bashkësisë ndërkombëtare, janë metoda të shmangies së përgjegjësisë dhe përfitimit politik kundër Kosovës”.