
Ndërhyrje e paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit – Potoqan dhe Nashpall mbeten pa ujë
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” SH.A ka njoftuar për një ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin e furnizimit me ujë në Komunën e Rahovecit, e cila ka lënë pa ujë fshatrat Potoqan dhe Nashpall.
Sipas njoftimit zyrtar, persona të papërgjegjshëm kanë dëmtuar ventilin në gypin kryesor të ujësjellësit në fshatin Potoqan, duke shkaktuar kështu ndërprerje të menjëhershme të furnizimit me ujë në këto dy fshatra, si dhe zbrazje të rezervuarëve furnizues.
Ekipet teknike të KRU “Gjakova” kanë reaguar me urgjencë në terren dhe kanë arritur të rregullojnë defektin, duke lëshuar sërish ujin në rrjet. Megjithatë, kompania bën të ditur se rikthimi i furnizimit të rregullt do të marrë pak kohë, për shkak të nevojës për mbushjen graduale të rezervuarëve.
KRU “Gjakova” ka bërë thirrje të fuqishme që të mos preket rrjeti i ujësjellësit nga askush, pasi ndërhyrje të tilla janë të dënueshme me ligj dhe përbëjnë vepër penale. Çdo rast i ngjashëm do të procedohet në mënyrë të rregullt pranë organeve kompetente.