Qendra e Prishtinës me ndriçim të mençur, pjesët periferike në terr
Foto: Facebook

Qendra e Prishtinës me ndriçim të mençur, pjesët periferike në terr

Aktuale July 26, 2025 - 20:17

Derisa Komuna e Prishtinës po vazhdon të përditësoj teknikat e ndriçimit në qendër të kryeqytetit, pjesët periferike janë në terr të plotë. Përfaqësues të lagjeve shprehen se banorët po rrezikohen nga mungesa e ndriçimit publik ndërsa nga komuna, thotë se kjo do rregullohet brenda mandatit

“Ndriçim smart në rrugën “Agim Ramadani”.

Kështu e prezantoi Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përditësimin më të ri të ndriçimit publik në këtë zonë, në qendër të kryeqytetit.

Por gjersa ndriçimi në qendër vazhdon e rritet, pjesët periferike kanë mbetur në terr.

E tillë është gjendja në rrugën “Bahtir Jahiri” në “Taukbahçe”, gjendja e të cilës, po e vështirëson qarkullimin e banorëve.

”Lagjia ka mbet në terr për një kohë të gjatë, kam bo kërkesa me email, nuk i kanë kthy kurrë. Kam bo kërkesa zyrtare, as ato. Ka një muaj që e kam bërë kërkesën e fundit. Rruga që nuk ka fare ndriçim është rruga “Bahtir Jahiri” që është shumë e rrezikshme kur bëhet terr. Gjithkund ku e mbulon terri, qentë endacak po bëhet më agresiv. E ka mbulu terri edhe udhëkryqim e Bledit”, ka thënë Enver Redenica, Kryetar i Këshillit Lokal të Sofalisë.

Pavarësisht premtimeve për këtë zonë, Redenica nuk beson se ndriçimi publik do sigurohet brenda mandatit të Ramës.

”Është koha zgjedhore, ndoshta bëjnë diçka po s’kemi shpresë. Muajin e kaluar bëmë takim me komunën dhe banorët, edhe pse e konfirmuan pjesëmarrjen, asnjë nuk erdhi. Të paktën të vine t’iu tregojnë qytetarëve se ku është problem. Parku i Tokbashqes dhe Gërmisë të qon në kohën e paraluftës, njësoj e ke edhe sot. Është terr total!”, ka thënë Enver Redenica, Kryetar i Këshillit Lokal të Sofalisë.

Total në Sofali e Taukbahçe në terr të plotë janë këto rrugë: Bahtir Jahiri, Lec Gradica, Rifat Mëziu, rruga Sylë Hotlla, ajo Bislim Makolli, Gëzim Redenica dhe rruga “Kika”.

E nga Komuna, shprehen optimist se ndriçimi i mençur do tw aplikohet edhe në këto zona, deri në tetor.

”Rrugët e përmendura në lagjen Sofali, janë të përfshira në planin e përgjithshëm të kontratës trevjeçare për ndriçimin publik. Aktualisht, po trajtohen edhe këto zona, dhe pritet të bëhet instalimi i ri i ndriçimit si dhe zëvendësimi i poqave të vjetër me llamba LED moderne. Duke qenë se kontrata është e planifikuar të përfundojë brenda periudhës trevjeçare, presim që të gjitha rrugët në kryeqytet, përfshirë edhe këto të Sofalisë, të kenë ndriçim funksional para përfundimit të mandatit”, ka thënë Bekim Gashi, Drejtor i Shërbimeve Publike.

Kostoja e përgjithshme e projektit për të gjithë qytetin me aplikimin e ndriçimit tw mençur është 10 milionë euro.