Muhaxhiri: Kosova po humb mbështetjen ndërkombëtare për shkak të mungesës së qeverisë legjitime
Foto: Laura Hasani

Muhaxhiri: Kosova po humb mbështetjen ndërkombëtare për shkak të mungesës së qeverisë legjitime

Aktuale July 27, 2025 - 10:27

Kosova po përballet me pasoja të rënda në arenën ndërkombëtare për shkak të mungesës së një qeverie me legjitimitet të plotë dhe mosfunksionimit të Kuvendit pas 52 tentimeve të pasuksesshme për konstituim, vlerësoi njohësi i rrethanave politike, Artan Muhaxhiri.

“Faktikisht ne vështirë se mund ta kemi idenë se sa kemi humbur me këtë bllokadë në të gjitha aspektet, në aspektin politik, në aspektin ekonomik, në aspektin e brendshëm, në aspektin e jashtëm. Pra, Kosova është duke humbur miq, Kosova është duke humbur imazh, Kosova do të duhej që të punojë shumë në mënyrë që të kthehet në pikën e 9 shkurtit, prej kur ka filluar kjo sagë. Është një humbje e jashtëzakonshme, humbja më e madhe është humbja e besimit të qytetarëve në klasën politike, në vendimmarrësit tanë, pasi që mbi 50 herë po e dëshmojnë veten që janë të paaftë që të bëjnë një politikë normale. As nuk e kanë brengën, as nuk e kanë idenë, as guximin, pra thjesht kjo është klasa politike më e paaftë, më e papërgjegjshmja, më e pamoralshmja prej vitit 1999”, tha ai.

Sipas Muhaxhirit, qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë ndaj qeverisë aktuale të Kosovës është tregues i qartë i mungesës së legjitimitetit të saj.

“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht BE-ja nuk e konsideron qeverinë aktuale në detyrë si një qeveri legjitime dhe fuqiplotë, prandaj e kemi parë edhe gjatë vizitave, nuk e kanë trajtuar as Kurtin si kryeministër që ta vizitojnë në zyrën e tij. Edhe sa i përket projekteve vazhdimisht kanë thënë që do të bllokohen përderisa të mos zgjidhet një qeveri me legjitimitet të plotë. Kjo është një arsye më tepër që politikanët tanë do të duhej që të punonin më me urgjencë drejt gjetjes së zgjidhjeve”, tha Muhaxhiri.

Ai shtoi se me gjithë këtyre paralajmërimeve dhe rreziqeve serioze për vendin, klasa politike po vazhdon të mos e marrë përgjegjësinë e saj.

“Për fat të keq, është e tmerrshme se as këto kërcënime, as këto rreziqe shumë të mëdha për humbjen e fondeve, për humbjen e pozicionit që e ka pasur Kosova deri më tani, për dështimet edhe në dialog që është kërkesa kryesore ndërkombëtare, por edhe në shumë elemente të tjera, nuk po u bëjnë aspak përshtypje dhe ata po vazhdojnë t’i marrin rrogat dhe të mos e bëjnë punën dhe ta dëmtojnë edhe shtetin e Kosovës, edhe popullin në përgjithësi”, tha ai.

Muhaxhiri paralajmëroi se mungesa e interesimit ndërkombëtar për Kosovën, për shkak të krizave globale si në Gazë e Ukrainë, do të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit.

“Pasojat në arenën ndërkombëtare do të jenë shumë të mëdha, sepse edhe për shkak të zhvillimeve që janë në Gaza, Ukrainë e kështu me radhë, fokusi i aleatëve tanë është drejt atyre vatrave dhe do të duhej punë shumë – shumë e madhe, një rritje e besueshmërisë për milion për qind në spektrin politik kosovar në mënyrë që të rikthehet fokusi që ka qenë më herët. Ndërsa, pa këtë interes dhe interesim të ndërkombëtarëve për rajonin tonë, dialogun, për fatin e Kosovës, Kosova do të mbetet një zonë e bllokuar edhe pa asnjë perspektivë zhvillimore, me bllokada të gjithanshme dhe me dëmtim edhe të substancës së shtetit të Kosovës sot edhe në perspektivë”, tha për EO, Muhaxhiri.