
Vishaj: Klinika Infektive po trajton 654 pacientë me hepatit kronik
Sot shënohet Dita Botërore e Hepatiteve.
Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK, theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke vënë në dukje se hepatitet mbeten një problematikë serioze për shëndetin publik.
Vishaj deklaroi se, megjithëse hepatitet vazhdojnë të jenë shqetësuese, në Kosovë po bëhen hapa të rëndësishëm drejt trajtimit dhe parandalimit krahasuar me vitet e kaluara. Aktualisht, Klinika Infektive po trajton 654 pacientë me hepatit kronik B.
“Duke i trajtuar këta pacientë, ne jo vetëm që rrisim jetëgjatësinë e tyre, por gjithashtu parandalojmë përhapjen e infeksionit në shkallë vendi”, tha Vishaj për RTK-në.
Ai sqaroi se hepatiti kronik B është forma më e përhapur në vend, ndërsa hepatiti kronik C haset më rrallë, kryesisht në grupe të caktuara të rrezikut.
“Klinika Infektive është qendra e vetme në Kosovë që ofron terapi antivirale për trajtimin e hepatiteve kronike. Ne kemi të mbyllur të gjithë ciklin që nga diagnostikimi, trajtimi, e deri te monitorimi afatgjatë i pacientëve. Këta pacientë duhet të përcillen pothuajse gjatë tërë jetës së tyre, dhe fatmirësisht, të gjitha këto shërbime ofrohen në klinikën tonë”, pohoi Vishaj.
Dita Botërore e Hepatiteve shënohet çdo vit më 28 korrik dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjet e mëlçisë dhe rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm.