Rumania paralajmëron qytetarët e saj të mos udhëtojnë nëpër Kosovë

Rumania paralajmëron qytetarët e saj të mos udhëtojnë nëpër Kosovë

Aktuale July 29, 2025 - 14:03

Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë ka paralajmëruar qytetarët e saj të mos udhëtojnë nëpër Kosovë, pasi aktualisht, sipas tyre, konsiderohet si "zonë rreziku", pasi situata e sigurisë është e paparashikueshme, sidomos në veri.

Rumania është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh Kosovën, ndaj paralajmërimi në faqen e internetit të Ministrisë u publikua nën indikacionin "Serbi/Kosovë".

Qytetarët rumunë këshillohen t'i kushtojnë vëmendje të veçantë dhe të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë në Kosovë.

"Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e paparashikueshme, veçanërisht në veri të krahinës, ku rreziku i incidenteve të dhunshme është i lartë. UNMIK-u dhe KFOR-i ofrojnë informacione të përditësuara të sigurisë në faqet e tyre të internetit. Në rast krize, informacioni do të jetë i disponueshëm edhe përmes radios KFOR (96.6 FM)", thuhet në deklaratë. Në rast se ndonjëri nga qytetarët ende vendos të udhëtojë përmes Kosovës, Ministria rekomandon që ata të informohen paraprakisht për situatën e sigurisë në rajon, thuhet në deklaratë, transmeton Zeri.info.

Rekomandime janë lëshuar edhe për qytetarët rumunë që janë në Kosovë dhe dëshirojnë të kontaktojnë Ministrinë në situata emergjente.

"Në këtë drejtim, rekomandohet monitorimi i rregullt i faqes së internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (www.mae.ro). Për të qenë në gjendje të kontaktohen shpejt në situata emergjente, qytetarëve rumunë që janë tashmë në Kosovë rekomandohet të kontaktojnë Zyrën Ndërlidhëse Rumune në Prishtinë dhe të raportojnë praninë e tyre në zonë", thuhet në rekomandim.

Ministria këshillon qytetarët e saj "të mos marrin pjesë në demonstrata që mund të përshkallëzohen në dhunë", thuhet në paralajmërimin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Rumanisë. /Zëri