Subjektet politike në pritje të Kushtetueses për t’ua zgjidhur ngërçin
Foto: Laura Hasani

Subjektet politike në pritje të Kushtetueses për t’ua zgjidhur ngërçin

Aktuale July 30, 2025 - 09:14

Nuk do të ketë një përpjekje të partive politike për zgjidhjen e ngërçit politik as në kohën kur Gjykata Kushtetuese është në shqyrtim të kërkesave të LDK-së dhe të PDK-së. Kjo pavarësisht edhe porosive të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për konstituimin e Kuvendit dhe të mos presin nga Gjykata Kushtetuese zgjidhjen e problemeve politike.

Deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu, tha për RTV21 se edhe nëse do të tentonte LVV-ja, të arrijë një marrëveshje të mundshme, atë do duhej ta bënte me subjektet politike të cilat kanë refuzuar në vazhdimësi.

“LVV-ja ka vepruar vazhdueshëm dhe në qoftë se do të vepronim tani do të kemi punë me të njëjtit njerëz që kemi provuar të dialogojmë, konsultohemi ose të arrijmë një marrëveshje politike për gjatë gjithë këtyre muajve sa kuvendi ka qenë i bllokuar. LVV-ja gjithmonë do të mendojë në drejtim të asaj se si do të mund të arrihet një zgjidhje, por në situatën cilën jemi nuk mund të krijojmë skenarë pa e pasur aktvendimin e kushtetueses, sepse një vendim i tillë e qartëson mënyrën se si do të funksionojmë tutje”, tha Kryeziu.

Në fundjavën e kaluar ishte mundësia e fundit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditëve, por edhe seanca e 54-të dështoi.

Pavarësisht takimeve ndërmjet Kurtit dhe kryetarit të Nisma-s Fatmir Limaj, nuk kishte përafrim qëndrimesh, ndërkohë që LVV tha se nuk i nënshtrohet kërkesave dhe pazareve për poste në këmbim të numrave në Kuvend. Nisma Social demokrate, hodhi poshtë akuzat, dhe Fatmir Matoshi tha se LVV-ja nuk i pati numrat për qeverinë.

“Ju e keni pa në seancën e fundit LVV-ja pati 56 vota. Me Nismën bëjnë 59 pra mungojnë edhe 2 vota. Andaj është e padrejtë të thuhet se Nisma e dështoi konstituimin e Kuvendit, sepse pozita e kryetarit të Kuvendit është tema e dytë apo e tretë, nuk ka shumicë parlamentare nga i cili do të dilte një kryetar…”, deklaroi Matoshi.

Subjektet politike janë në pritje të Gjykatës Kushtetuese. Njëri deputet i LDK-së, Ekrem Hyseni tha se pret që LVV-ja të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapë rrugë procesit ndërkaq deputeti tjetër i LDK-së.

Krenar Xhaferi tha se pret që vendimi përfundimtar i kushtetueses të ketë masa ndëshkuese ndaj LVV-së.

“ Kushtetuesja duhet të dal me një vendim të qartë dhe të kujdesshëm sepse nëse shkohet në zgjedhje, ato mund të prodhojnë një rezultat të ngjashëm dhe përsëri do jemi në ngërç, por edhe mund të dalë me masë ndëshkuese ndaj LVV-së”, tha Xhaferi

Pezullimi i Kuvendit për një periudhë dyjavore nga Gjykata Kushtetuese, ka shtuar zërat për pasoja të ndryshme juridike që mund të prodhohen në aktvendimin përfundimtar. Ndërkohë, Xheferi i LDK-së, foli për mundësinë e krijimit të një qeverie të ish-opozitës.

“ Unë kujtoj që në pjesën e numrave të opozitës, ne kemi thënë që nuk kemi numra por unë kujtoj që duhet bërë hapi i parë për konstituimin e Kuvendit sepse vet vetiu vjen rendi te i pari pastaj te i dyti dhe t’i shohim procesin si do të rrjedhin në zgjedhjen e qeverisë dhe organeve të tjera….”, tha Xhaferi.

Që nga 27 korriku aktivizuar masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese dhe subjektet politike nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim që do t’u mundësonte konstituimin e Kuvendit deri më 8 gusht. Ndërkohë, Kushtetuesja ka konfirmuar për televizionin se ka në procedim edhe kërkesën presidentes Osmani lidhur me situatën e krijuar në Kuvend.