
Hoti: Nuk e di se në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria, do të ketë rritje të papunësisë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për afatin 60-ditor të furnizimit të përkohshëm për bizneset, që përfundon nesër.
Sipas Hotit, kjo situatë ka krijuar pasiguri të madhe dhe pasojat do të jenë të mëdha, raporton Klankosova.tv.
“Vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.
Kjo gjendje është e pakuptimtë. Do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje. Vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve”.
Ai thotë se do të largohen investitorët ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, do të ketë mungesë të investimeve, rritje të kostove për bizneset, e po ashtu edhe rritje të papunësisë.
“Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë.
Si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë.
Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës”.