Ajazi: Lladrovci e përdori logon e PDK-së për vota, qytetarët s’e duan më

Ajazi: Lladrovci e përdori logon e PDK-së për vota, qytetarët s’e duan më

Aktuale July 31, 2025 - 08:19

Driton Ajazi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka folur për zhvillimet e fundit politike në Drenas, ku Ramiz Lladrovci ka vendosur të kandidojë si i pavarur, ndërsa PDK-ja ka zgjedhur Petrit Hajdarin si kandidat zyrtar për kryetar të Komunës.

Ajazi theksoi se ka qenë një kërkesë e qytetarëve dhe e strukturave të partisë që të ndodhin ndryshime, duke argumentuar se votat që dikur shkonin për Lladrovcin, ishin më shumë vota për PDK-në si simbol, dhe jo për personin e tij.

“Unë vetë kam qenë kandidat në zgjedhjet e vitit 2021, dhe Ramiz Lladrovci na kishte mposhtur duke u fshehur pas logos së PDK-së. Ai e ka shfrytëzuar logon për vota sepse e dinte që qytetarët e Drenicës janë emocionalisht të lidhur me PDK-në, për shkak të së kaluarës së liderëve tanë si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha Ajazi në Teve1.

Sipas tij, situata aktuale ka krijuar një realitet të ri, që e ka bërë edhe atë të reflektojë.

“PDK-ja ka vendosur të kandidojë Petrit Hajdarin, duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve që nuk donin më kandidaturën e Lladrovcit,” shtoi ai.

Ajazi tha se ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë qenë kurrë kundër PDK-së, por janë përjashtuar padrejtësisht. Sipas tij, vendimi për të përkrahur Hajdarin erdhi si reflektim i nevojës për ndryshim dhe unitet brenda partisë.

“Ramiz Lladrovci duhet të jetë mirënjohës për çfarë i ka dhënë PDK-ja, por në vend të mirënjohjes, ai na ka quajtur neve ‘pedel’. Kjo tregon se e vërteta e dhemb, sepse qytetarët kanë dashur ta ndryshojnë që nga viti 2021,” përfundoi Ajazi.

Ajazi akuzoi gjithashtu Lladrovcin se ka gjetur forma për të dëmtuar politikisht dhe personalisht kundërshtarët e tij.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur gara për Drenasin pritet të jetë mjaft e ashpër, me përçarje të dukshme brenda elektoratit tradicional të PDK-së.