MASHTI merr vendim t’i subvencionojë edhe këtë vit librat shkollorë për nxënësit e klasave 1-9
Foto: Laura Hasani

MASHTI merr vendim t’i subvencionojë edhe këtë vit librat shkollorë për nxënësit e klasave 1-9

Aktuale July 31, 2025 - 14:16

Drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Besnik Hulaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) ka marrë vendim për të subvencionuar librat shkollorë për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën për vitin shkollor 2025/2026.

Sipas tij, ky vendim vjen pas reagimeve të shumta nga drejtorët e arsimit nëpër komuna, ku DKA Deçan ishte ndër të parat që kërkoi një masë të tillë, raporton Zeri.info.

Hulaj e ka cilësuar këtë hap si të domosdoshëm dhe të drejtë, duke theksuar se lehtëson barrën financiare të prindërve dhe garanton qasje të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët.

Ai gjithashtu ka theksuar se DKA Deçan do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e nxënësve dhe do të qëndrojë në shërbim të komunitetit arsimor.

“Pas reagimeve të shumta nga drejtori të Arsimit nëpër komuna të ndryshme, ndër të parat DKA në Deçan, MASHTI ka marrë vendim që të subvencionojë librat shkollorë për të gjithë nxënësit nga klasa e 1 deri në të 9 për vitin shkollor 2025/2026. Ky është një hap i domosdoshëm dhe i drejtë që lehtëson barrën financiare të prindërve dhe garanton qasje të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët. DKA Deçan mbetet e përkushtuar për të ngritur zërin në çdo rast kur të drejtat e nxënësve preken dhe për të qenë gjithmonë në shërbim të komunitetit arsimor”, shkroi ai.