Presidentja Osmani reagon pas vendimit të Qeverisë për heqjen e tarifave për produktet amerikane
Foto: Laura Hasani

Presidentja Osmani reagon pas vendimit të Qeverisë për heqjen e tarifave për produktet amerikane

Aktuale August 01, 2025 - 13:18

Nga sot, vendimi i Kosovës për të hequr të gjitha tarifat ndaj produkteve amerikane ka hyrë në fuqi.

Ky hap përforcon më tej marrëdhëniet strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e konfirmuar besnikërinë dhe orientimin e qartë të shtetit të Kosovës drejt partneritetit me SHBA-në.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në rrjetin social X, duke theksuar se Kosova është krenare që është vendi i parë që ka propozuar heqjen e të gjitha barrierave tregtare ndaj mikut dhe aleatit të saj më të madh, transmeton Zeri.info.

"Nga sot, vendimi i Kosovës për ZERO tarifa ndaj të gjitha produkteve amerikane hyn në fuqi. Jemi krenarë që jemi vendi i parë që propozuam heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për presidentin Donald Trump dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë", shkroi Presidentja Osmani.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ky vendim pritet të thellojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe të krijojë më shumë mundësi për investime dhe tregti të ndërsjellë, duke e vendosur Kosovën në një pozitë të favorshme në raport me ekonominë amerikane dhe tregun ndërkombëtar. /Zëri