
Çitaku: Ideja e konsensusit në Kosovë ka ekzistuar, është rrënuar nga Vetëvendosja
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se zgjedhja e kryeparlamentarit është privilegji i subjektit të parë, por përzgjedhja bëhet me shumicën e votave të Kuvendit.
“Faleminderit për mundësinë e fjalës, sepse na është mohuar tash e sa muaj në Kuvendin e Kosovës. Më lejoni të shpreh mospajtimin tim me disa gjëra që u thanë. Shteti nuk është në pauzë. Çka po shohim është që është grusht shtet. Sot derisa po diskutojmë këtu, përkundër vendimit të Gjykatës Supreme, Qeveria ka uzurpuar zyrat. Dhe nuk e them këtë fjalë me lehtësi.
Për mua Kuvendi është vend ku kemi shpallur pavarësinë, kemi ndërtuar institucione dhe kryesisht z. Kraki me konsensus. Çka e ka definuar Kosovën ka qenë pikërisht ideja e konsensusit. Që nga Rambujeja e tutje të gjitha vendimet e mëdha janë miratuar si rezultat i pjekurisë politike. Në Kosovë ideja e konsensusit është rrënuar pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Pra, ideja e konsensusit në Kosovë ka ekzistuar, është praktikuar dhe është rrënuar. Nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse privilegji i takon subjektit të parë zgjedhjen e kryeparlamentarit, përzgjedhja bëhet me shumicën e votave të kuvendit të Republikës”, tha Çitaku.
Ajo u ndal edhe në pasojat për shkak të moskonstituimit të institucioneve.
“Tash kemi humbur dhjetëra miliona euro për shkak të paparashikueshmërisë politike. Parashikueshmëria është kusht për zhvillim. Secili prej nesh e njeh nga një ndërmarrës të vogël për shkak të papërballueshmërisë së çmimit të energjisë elektrike”, tha Çitaku.