Dëshmi të tjera për krime lufte deponohen në Institut

Dëshmi të tjera për krime lufte deponohen në Institut

Aktuale August 01, 2025 - 17:36

“Z. Rasim Selmanaj, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, i ka dhuruar IKKL-së tre vëllime të librit “Lufta për Kosovën”, që përmbajnë rrëfime autentike të luftëtarëve dhe ish-të burgosurve politikë, si dhe veprën e tij autoriale “Hijet e Thyera”, me përshkrimin e përjetimeve personale gjatë masakrës”, thotë ky institut. 

Edhe gazetari shumëvjeçar, sherif Konjufca ka deponuar dëshmi të dokumentuara për torturat që ka përjtuar si ish-i burgosur politik në vitet ’80 e ’90.

“Z. Sherif Konjufca, gazetar në RTK dhe RTSH, ka dorëzuar dëshmi të dokumentuara për torturat dhe maltretimet që ka përjetuar si ish-i burgosur politik i regjimit serb, gjatë vuajtjes së dënimit shtatëvjeçar në vitet 80-90-ta”, thuhet tutje aty.

Dëshmi dërgoi edhe Edita Tahiri. “Znj. Edita Tahiri ka kontribuar me dokumente e dëshmi që pasqyrojnë periudhën e okupimit, zhvillimet e luftës dhe krimet me karakter gjenocidal në Kosovë”, thotë Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Një tjetër ish- i burgosur politik ka deponuar dëshmi pranë këtij instituti.

“Z. Gani Neziri, ish-i burgosur politik, i ka dorëzuar IKKL-së rrëfimin e tij personal mbi vuajtjet dhe përjetimet gjatë dënimit në burgun e Gjilanit”, thuhet në njoftimin e tyre.

IKKL ka falënderuar të gjithë dhuruesit duke thënë se kontributi i tyre është i paçmueshëm në misionin e tyre për dokumentim dhe memorie institucionale.

Ata u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që posedojnë dëshmi, dokumente, fotografi apo kujtime nga lufta, t’i bashkohen në këtë mision historik. /RTK