
Kurti dhe udhëheqësit ImpactCEE biseduan për investimet Kosovë-Poloni
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti udhëheqësit e Konferencës ImpactCEE nga Polonia, presidentin Krystian Wolak, zëvendëspresidenten Joanna Kasprowicz dhe zyrtaren kryesore të përmbajtjes, Marta Liberska, të cilët u shoqëruan nga ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon S. Gashi.
Konferenca ImpactCEE është e konferenca e tretë më e madhe në Evropë pas konferencës në Davos dhe Konferencës së Sigurisë së Mynihut.
Udhëheqësit e ImpactCEE, të cilët kishin krijuar organizatën para 10 vitesh, shprehën mirënjohjen e tyre për pjesëmarrjen e kryeministrit në konferencën e sivjetme, që u mbajt në muajin maj 2025.
Ata shprehën dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit me kryeministrin, në edicionet e ardhshme të konferencës si në Poloni (konferenca kryesore) ashtu edhe në Rumani, njofton Zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimit ata bashkëbiseduan për rëndësinë e mbështetjes së vlerave demokratike e evropiane dhe të bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e investimeve Kosovë-Poloni. Ata u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin për këto qëllime.
Kurti falënderoi delegacion për vizitën dhe u uroi qëndrim sa më të këndshëm në Kosovë.