
Shala kritikon qeverinë: Nuk ka qartësi për të ardhmen, as ekonomike, as sociale e as politike
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kritikon ashpër qeverinë në detyrë për krizën ekonomike në vend, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.
Shala tha se mosrritja e pagave, rënia e investimeve kapitale dhe mungesa e mbështetjes për prodhimin vendor kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve.
“Situata e krijuar tashmë ka ndikuar në vështirësimin e jetës së qytetarëve si pasojë e politikave jo të mira ekonomike e sociale, si pasojë i mosngritjes së pagave. Pra, ndryshim zero në sistemin e pagesave. Si pasojë e rënies së madhe të investimeve kapitale të jashtme dhe të brendshme, mosfurnizimit me kohë të linjave të furnizimit dhe prodhimit vendor, tashmë një inflacion tej mase i rritur me dinamikë të madhe, sidomos muajve të fundit deri katër për qind. Kjo ka bërë që shporta e konsumatorit të jetë më e varfër dhe e kushtueshme. Parimisht, të vështirësohet jeta e gjithmbarshme e shoqërisë sonë. Nuk kemi investime, nuk kemi mbështetje të mirëfilltë strategjike për prodhimin vendor dhe Kosova po shndërrohet në një qendër të importit”, tha ai.
Shala tha se inflacioni është rritur ndjeshëm, importet janë dyfishuar dhe prodhuesit vendorë po përballen me çmime të papërballueshme të energjisë.
“Është rritur si kurrë më parë mbi 100 për qind në pesëmujorin e parë të këtij viti çështja e importeve dhe fatkeqësisht shpeshherë me tendencë të rritjes nga shtetet jo mike siç është Serbia. Pra, nuk kemi qartësi për të ardhmen, as ekonomike, sociale e as politike. Nuk ka vende të reja të punës. Përkundrazi, të rinjtë po largohen si asnjëherë më parë drejt vendeve evropiane, sepse prodhimi vendor është i rrezikuar për faktin që muajve të fundit është goditur shumë, tre herë brenda mandatit të qeverisë, por tashmë së fundmi me liberalizimin për daljen në treg të energjisë. Kjo ka ndikuar direkt në shkurtimin e vendeve të punës, kështu është situatë e paqartë ekonomike, sepse nuk ka mundësi që prodhuesit vendorë t’i përballojnë çmimet e shumëfishuara të furnizimit me energji nga importet. Tashmë prodhimi energjetik vendor është në pikën më të ulët që ka ndodhur ndonjëherë”, potencoi ai.
Shala tha se kanë ngritur shumë herë shqetësimet që politikat qeverisëse ekonomike nuk janë në harmoni me kërkesat, as me trendin e brendshëm, as me atë ndërkombëtar.
“Nuk ka politikë të mirëfilltë. Kjo qeveri ka një paketë sociale që kohë pas kohe në fushata elektorale shpërndan. Tashmë kemi harxhuar buxhetin krejtësisht në mënyrë të pakontrolluar dhe në linja krejtësisht të dyshimta. Nuk kemi rivitalizuar sektorin e energjisë, kemi sjellë para falimentimit sektorin e prodhimit vendor në industri, kemi falimentuar krejtësisht linjat e prodhuesve të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, kemi rritur importet”, shtoi deputeti.
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për keqmenaxhimin e buxhetit dhe për afera të mëdha korruptive, duke kritikuar qeverinë për mungesë transparence dhe llogaridhënieje.
“Kemi bllokuar të gjitha linjat e furnizimit të granteve të BE-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë qindra mijëra euro. Si pasojë e sanksioneve Kosova nuk i ka në qarkullim mjetet financiare. Kjo situatë ka një adresë. Adresa është Qeveria dhe dikasterët e saj. Paralelisht, kemi afera të larta korruptive si asnjëherë më parë, miliarda euro po shkojnë në tenderë njëburimorë, dhjetëra afera të involvuara direkt nga niveli më i lartë politik. Shteti është pa rezerva shtetërore si rezultat i aferave korruptive. Jemi pa prodhim vendor energjetik, pa llogaridhënie në të gjithë sektorët”, tha për Ekonomia Online, deputeti i PDK-së, Shala. /eo