Gashi: Kushtetuesja të sjell vendim që krijon stabilitet, duhet të zëvendësohet ai i vitit 2014
Foto: Laura Hasani

Gashi: Kushtetuesja të sjell vendim që krijon stabilitet, duhet të zëvendësohet ai i vitit 2014

Aktuale August 02, 2025 - 10:52

Për stabilitet qeverisës dhe përfaqësim funksional duhet të ndërtohet kultura e bashkëpunimit dhe kompromisit politik, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. I njëjti ka vlerësuar se është koha që Gjykata Kushtetuese të sjell një vendim të ri që sjell stabilitet dhe bashkëpunim institucional, shkruan Gazeta Express.

Gashi ka thënë edhe se, Kushtetuesja duhet të sjell vendim që e zëvendëson vendimin e vitit 2014 dhe që e kthen situatën në përputhje me frymën kushtetuese.

‘‘Koha për një vendim të ri të Gjykatës Kushtetuese që sjell stabilitet dhe bashkëpunim institucional! Që Kosova të ketë stabilitet qeverisës dhe përfaqësim funksional, është urgjente që të ndërtohet kultura e bashkëpunimit dhe kompromisit politik. E kjo nuk mund të arrihet pa një bazë të qartë kushtetuese për mënyrën se si formohen institucionet pas zgjedhjeve. Prandaj, Gjykata Kushtetuese duhet të sjellë një vendim të ri që zëvendëson vendimin e vitit 2014, lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, dhe që kthen situatën në përputhje me frymën dhe rregullin kushtetues’’, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka deklaruar se parimi i së drejtës relative duhet të zëvendësojë logjikën e së drejtës absolute, gjë e cila nënkupton se partia që del e para në zgjedhje ka 30 ditë kohë për të ndërtuar shumicën dhe për të zgjedhur kryetari e Kuvendit, e nëse kjo s’arrihet, sipas Gashit, atëherë deputetët e Kuvendit kanë 15 ditë për të zgjedhur një Kryetar/e nga radhët e tyre, mbi bazën e shumicës.

‘‘Gjykata duhet të rikthejë gjendjen para ndryshimit të njëanshëm të procedurës së votimit, sepse ky ndryshim pa miratim formal paraprak të deputetëve-është kundërkushtetues dhe nuk përfaqëson vullnetin demokratik të Kuvendit. Parimi i së drejtës relative duhet të zëvendësojë logjikën e së drejtës absolute. Kjo nënkupton: Partia apo koalicioni që del i pari në zgjedhje ka 30 ditë kohë për të ndërtuar shumicën dhe për të zgjedhur Kryetarin/en e Kuvendit. Nëse dështon, atëherë deputetët e Kuvendit kanë 15 ditë për të zgjedhur një Kryetar/e nga radhët e tyre, mbi bazën e shumicës’’, ka shkruar ai.

Më tej, ai ka thënë se nëse nuk bëhet konstituimi as pas kësaj here, atëherë duhet të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme.

‘‘Nëse as pas këtyre 15 ditëve nuk arrihet zgjedhja e Kryetarit, atëherë Presidenti/ja, në bazë të nenit 84, paragrafi 2 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.

Ky model është:

 Në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

 Siguron të drejtën parësore të fituesit në zgjedhje, pa e kthyer atë në pengmarrës të procesit.

 Zbaton parimin e shumicës parlamentare, si thelb i demokracisë përfaqësuese.

 Kur nuk ka ekskluzivitet absolut, nuk ka arrogancë absolute.

Ky rregullim do të sillte më shumë respekt institucional, më shumë vullnet për kompromis dhe më shumë maturi në retorikën politike. Sepse askush nuk ka luksin që të dielën në mbrëmje, duke mos qenë fitues absolut, t’i quajë kundërshtarët “hajvan e hajvanat”, e të hënën në mëngjes t’u trokasë për të ndërtuar shumicën.

 Zgjidhja nuk është bllokimi. Zgjidhja është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që vendos rregull, balancë dhe funksionalitet’’, ka shkruar ai.