
Rritet numri i rasteve me HIV në Kosovë, 19 për shtatë muaj
Në shtatëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 19 raste të reja me HIV. Krahasuar me vitet e kaluara, ky numër paraqet një rritje, ndërkohë që rastet më të shpeshta janë tek të rinjtë. Institucionet shëndetësore dhe organizatat që merren me këtë fushë, thonë se aktualisht ka terapi të mjaftueshme, përfshirë edhe atë parandaluese
Numri i rasteve me HIV është në rritje në Kosovë.
Shifrat në repartin e Klinikës Infektive flasin për një gjendje siç thotë ky institucion, brengosëse.
Shefi i repartit Murat Mehmeti, thotë se rritja e rasteve është shqetësuese dhe mund të tejkalojë shifrat e vitit të kaluar.
“Gjatë shtatë mujorit të këtij viti deri më tani në kliniken infektive ku ne punojmë dhe merremi me pacientët që kanë të bëjnë me HIV infeksion përkatësisht me trajtimin e tyre janë regjistruar gjithsej 19 raste dmth realisht kemi një rritje të numrit të rasteve krahasuar me vitin e kaluar edhe me vitet paraprake nëse flasim për vitin e kaluar kemi pas 29 raste gjithsej po flasim për tërë rastin ndërkohë që vetëm deri me tani kemi 19 raste të reja dhe kjo është brengosëse për shkak që deri në fund të vitit do të kemi një numër shumë më të madh”, thotë Murat Mehmeti – shef i repartit në Klinikën Infektive.
Edhe pse aktualisht në Klinikë ndodhet vetëm një pacient, mbi 100 persona në gjithë vendin janë nën mbikëqyrje dhe trajtim.
“Për momentin në klinik e kemi të shtruar ose në trajtim vetëm një pacient, ndërkohë nëse flasim për numrin e përgjithshëm të pacientëve në Kosovë që janë nën mbikëqyrjen tonë themi ashtu ky numër është diku rreth 105”, thotë Mehmeti për Teve1.
Nga qershori i vitit të kaluar, qytetarët në Kosovë kanë qasje edhe në një terapi parandaluese për HIV-in, të quajtur PrEP( Profilaksia para ekspozimit) Kjo, falë një pune shumëvjeçare nga organizatat që punojnë me komunitetet më të ndjeshme.
Kështu thotë Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për zhvillimin e grupeve sociale.
“PrEPi ka fillu me u dhanë për qytetarët prej qershorit të vitit të kaluar pas një pune 7-8vjeçare e angazhimit tonë për me sjell kët lloj terapie parandaluese në Kosovë”, tregon Nuhiu.
Sipas tij, furnizimi me këtë terapi është i garantuar deri në fund të vitit 2027 nga donatorë ndërkombëtarë, ndërsa pas kësaj periudhe, përgjegjësinë do ta marrë Ministria e Shëndetësisë.
“Sasia e terapisë është e garantuar deri në fund të vitit 2027, falë një donacioni ndërkombëtar. Më pas, përgjegjësinë pritet ta marrë Ministria e Shëndetësisë”, thotë Nuhiu.
Ndërkaq, sipas doktorit Murat Mehmeti, grupmosha që po preket më së shumti nga infeksioni është ajo e të rinjve kryesisht personat mes moshës 20 deri në 30 vjeç.