Sindikatat e RTK-së protestojnë para Kuvendit për krizën financiare
Foto: Laura Hasani

Sindikatat e RTK-së protestojnë para Kuvendit për krizën financiare

Aktuale August 05, 2025 - 08:20

Në shenjë pakënaqësie ndaj krizës së thellë financiare që ka përfshirë Radiotelevizionin e Kosovës, sot (e martë), nga ora 11:00, dy sindikatat e RTK-së kanë organizuar një protestë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Punëtorët e RTK-së nuk kanë marrë ende pagat e muajit korrik, ndërkohë që transmetuesi publik gjendet në prag të bllokadës totale për shkak të mosndarjes së pjesës së dytë të buxhetit vjetor.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës, Pajazit Krasniqi, tha se kërkesa e vetme e protestuesve është që Qeveria në detyrë të ndajë urgjentisht buxhetin që, sipas ligjit, i takon RTK-së.

Ai për RTK-në, paralajmëroi se nëse nuk gjendet zgjidhje deri në fillim të javës së ardhshme, do të pasojnë masa të tjera sindikale.

Protesta mbështetet edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se është për keqardhje që punëtorët e RTK-së ndodhen në këtë situatë.

Për krizën financiare në RTK ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili në një letër drejtuar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Ai theksoi se funksionimi i RTK-së është thelbësor për një shoqëri demokratike dhe paralajmëroi se zvarritja e ndarjes së buxhetit cenon të drejtat e punëtorëve dhe shërbimin publik të informimit.