
Bëhen me banesa 200 familje nga rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta
200 familje nga rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta kanë përfituar drejtpërdrejt nga investimi i fundit i Komunës së Prishtinës, në përmirësimin e kushteve të banimit.
Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate për media, ka thënë se me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet në nevojë, Kryeqyteti ka realizuar një investim të rëndësishëm në dy lagje të qytetit: në Hajvali dhe te “Fusha e Pajtimit”.
Investimi është realizuar përmes bashkëfinancimit me Fondin për Efiçiencë të Kosovës dhe ka përfshirë ndërhyrje në ndërtesat kolektive, si: ndërrimi i dritareve, izolimi termik i objekteve, instalimi i pajisjeve për ngrohje dhe ftohje, si dhe rregullimi i kulmeve.
“Përveç përmirësimit të kushteve të banimit, projekti ka ndikuar edhe në uljen e ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, duke e bërë jetesën më të qëndrueshme dhe më të përballueshme për këto familje”, ka deklaruar kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
“Ky është një shembull i qartë se si investimet në efiçiencë energjetike shkojnë përtej kursimeve – ato përkthehen në dinjitet, drejtësi sociale dhe barazi për të gjithë qytetarët”, shtoi Rama gjatë vizitës së tij në terren. /Zëri
