
Ambasada Britanike: Vendimet e Kushtetueses të respektohen dhe zbatohen!
Ambasada Britanike në Kosovë ka bërë thirrje që vendimet që merren nga Gjykata Kushtetuese të respektohen nga të gjithë.
Nga Ambasada është thënë edhe se aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës.
‘‘Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen’’, është thënë në reagimin e Ambasadës Britanike.
Ndryshe, Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme, e cila është në fuqi që nga 27 korriku deri nesër, më 8 gusht. Gjatë kësaj kohe deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Po ashtu, reagimi i Ambasadës Britanike është bërë pasi Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën drejtuar Kushtetueses për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Shkak i kësaj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Laban, për të cilin Presidentja ka thënë se caktimi i Labanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.